Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas raportimit të organizatës joqeveritare Aktiv, se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Miliqeviq ka kaluar këtë të hënë në pikën kufitare në Jarinje dhe nuk ka ndodhur asnjë problem, incident e aq më pak dhunë.
“Nga vizitat e mia të shpeshta atje dhe takimet me të gjithë zyrtarët policorë, jam bindur me sjelljen shembullore të zyrtarëve policorë, por përkundër kësaj, kam kërkuar raport nga zyrtarët policorë të kufirit dhe hetim të këtyre pretendimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës, me rezultatet e të cilit qytetarët tanë do të njoftohen në kohë rekorde. Për të konfirmuar këtë, zyrtarët tanë policorë kanë kontaktuar me zyrtarët kufitarë të Serbisë të cilët kanë njoftuar se i njëjti nuk ka paraqitur ndonjë shqetësim apo problem gjatë kalimit kufitar”, ka shkruar Sveçla.
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët se të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë në shërbim të të gjithëve pa dallim, për të ofruar siguri. Institucionet tona respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë e veprojnë në Kosovë, duke garantuar kështu siguri, mirëqenie e barazi për ta”, shtoi ai.
Policia e Kosovës e ka demantuar organizatën joqeveritare “Aktiv” me seli në Mitrovicë të Veriut, e cila kishte deklaruar se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Përmes një komunikate për media, policia ka thënë se ky raportim është i pavërtetë.
“Sot, në orën 09:28 personi në fjalë (M. M.) me automjetin e tij, është paraqitur në vendkalimin kufitar SPK-Jarinjë dhe pas përfundimit të procedurave kufitare i njëjti pa asnjë problem ka vazhduar në drejtim të Republikës së Serbisë. Vlen të potencohet se ndaj të njëjtit nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara”, thuhet në reagimin e policisë.
Sipas njoftimit të policisë, thuhet se me qëllim të riverifikimit janë ndërmarrë masa shtesë, ku zyrtarët policorë me detyrë në Jarinjë kanë pyetur edhe palën serbe nëse dikush ka paraqitur ndonjë ankesë, ku nga mbikëqyrësi i ndërrimit të palës serbe është konfirmuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë për sjellje jo të mirë apo diçka të kësaj natyre.
Milliqeviq, gjatë gjithë procedurës – nga ndalimi deri në marrjen në pyetje – “ka bashkëpunuar plotësisht me policinë” dhe “nuk ka bërë asgjë për të nxitur reagimin e dhunshëm të policisë”.
Kjo organizatë kishte paralajmëruar se do të ngrejë kallëzim ndaj pjesëtarëve të forcave speciale në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe në të gjitha organet kompetente.
Policia e Kosovës i mohon pretendimet se drejtori i një OJQ në veri u sulmua nga njësiti special