Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të hënën e 14 nëntorit në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, është takuar me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Faxcebook, Krasniqi ka theksuar se gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në veri të Kosovës.“Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, situatë për të cilën nevojiten veprime të përgjegjshme politike”, shkroi Krasniqi.
Emisarit Lajçak, Krasniqi i ka ritheksuar qëndrimin për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke në qendër dhe e cila garanton anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Integrimi euro-atlantik i Kosovës është rruga e vetme përpara, për të cilën, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës mbesim thellësisht të përkushtuar”, shtoi ai.
Vizita e tij në Bruksel ishte paralajmëruar nga vetë Krasniqi.
Ai kishte njoftuar se gjatë kësaj jave do të udhëtojë drejt Brukselit dhe Washingtonit për vizitë zyrtare.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se Kosova, situata aktuale, sfidat dhe rrugët përpara do të jenë tema të diskutimeve në dy kryeqendrat e globit.
“Gjatë javës së ardhshme do të zhvilloj një vizitë zyrtare në Bruksel dhe Ëashington DC. Kohët e vështira kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim me partnerët e vërtetë, të besueshëm dhe strategjikë. Me miq të cilët ia duan të mirën Kosovës, popullit tonë dhe që mbajnë gjithmonë dyert hapur për ne”, ka shkruar Krasniqi.