Situata më e rrezikshme që prej vitit 2013. Kështu i ka cilësuar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në veri të Kosovës.
Borrell në një konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, tregoi se zgjidhja duhet të gjendet para 21 nëntorit.
“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve në veri nga Policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum. Në këtë vakum më e keqja mund të ndodh. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë”, ka thënë Josep Borrell – Përfaqësues i lartë i BE-së.
Borrell nga Brukseli dha një porosi të qartë për Kosovën dhe Serbinë.
“Duhet të vendosin nëse duan të kthehen në të kaluarën, apo të shkojnë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Joseph Borrell – Përfaqësues i lartë i BE-së.
E për t’i dhënë fund mospajtimeve, Borrell tregoi se bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë hartuar një propozim, që po përkrahet nga Franca dhe Gjermania.
“Franca dhe Gjermania kanë qenë përkrahëse të propozimit, i ashtuquajturi propozim franko-gjerman. Është propozim nga unë e Lajçaku, që përkrahet nga Gjermania e Franca. Mund të them propozim evropian. Ne duam të dalim nga pozita e menaxhimit të krizave. Në dy-tre vjetët e fundit jam marrë me menaxhim të krizave, targa, apo çfarëdo qofshin ato. Nuk është kjo mënyra se si zgjidhen problemet. Duam një qasje më strukturore. Dua të them se dyja palët, nuk do të thosha se pajtohen, por nuk e refuzojnë propozimin. Kjo është shumë mirë”, ka shtuar Joseph Borrell – Përfaqësues i lartë i BE-së.
Për situatën e krijuar në veri të Kosovës, Borrell ka raportuar gjatë ditës para Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, raportim që do ta vazhdojë edhe të martën. Përgjatë raportimit pritet të diskutohen edhe tema të tjera.