Pas shqyrtimit të ofertës nga Qeveria, Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Mqedonisë (SASHK) ka vazhduar grevën në arsim.
Në ofertën e Ministrisë së Arsimit është përfshirë rritja e pagave për 10 për qind të mësimdhënësve, e këtë ofertë, SASHK-u e ka refuzuar duke mbajtur qëndrimet se rritja e pagave duhet të jetë për 18.4 për qind.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Jakim Nedellkov është shprehur se ka marrë vendimin për vazhdimin e grevës, për shkak se në ofertën e Ministrisë është përfshirë rritja për 10 për qind e mësimdhënësve, që sipas tij, bën dallimin e inflacionit dhe jo rritjen e pagës, sipas pagës minimale.
”Oferta nuk u pranua për shkak se fillimisht është ofertë gojarisht. Nuk ka formë të shkruar. E dyta është se 95 për qind e anëtarësisë u deklarua se nuk dëshiron një ofertë të tillë. Na vjen keq që shkollat do të mbesin vetëm për hyrje dhe jo për mësim”, thonë nga SASHK-u.
Lidhur me grevën e arsimtarëve dhe profesorëve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka shkruar në rrjetin social ‘Facebook‘, duke thënë se janë duke punuar çdo ditë për të gjetur dialog me SASHK-un.
”Qeveria çdo ditë është duke u munduar për të gjetur zgjidhje për krizën në arsim. Edhe përballë krizës ekonomike botërore ne i kemi dhënë mbështetje të fuqishme ekonomike qytetarëve për tejkaluar këto sfida. Për momentin, nga SASHK, ne kemi presion të paparë, dhe nga kjo, ne kuptojmë se atyre ju interesojnë interesat personale, e jo interesat grupore dhe mirëqenia e nxënësve”, ka shkruar Kovaçevski.
Ai gjithashtu, shtoi se nga viti 2017 rrogat janë rritur për 21 për qind. Ndërsa, 10 përqind-shi i ofruar për rritje të pagave për SASHK-un nuk është i duhur, dhe për këtë ne jemi të shqetësuar.
Kjo është dita e tetë që arsimtarët, edukatorët dhe profesorët e arsimit të mesëm mbajnë grevë, ndërsa nxënësit nuk shkojnë në shkollë.