Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë të Austrisë, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me pjesëtarë të mërgatës.
Kreu i qeverisë, e ka ftuar mërgatën në Austri që të hulumtojnë mundësitë e investimeve në Kosovë.
“Kryeministri Kurti u shpreh se diaspora është pjesë përbërëse e së kaluarës, tashmes dhe të ardhmes së vendit, dhe i ftoi që së bashku me partnerët e tyre të biznesit të hulumtojnë mundësitë e investimeve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Ai i njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, reformat e ndërmarra dhe me punën e deritanishme të Qeverisë, teksa diskutuan për zhvillimin e vendit dhe përfshirjen dhe rolin aktiv të mërgatës në atë drejtim.
Ndryshe, javën e kaluar është lansuar Programi për Diplomaci Qytetare nëpërmjet të cilit 10 profesionistë të rinj të përzgjedhur nga diaspora, për 6 muaj do të angazhohen në projekte të ndryshme të MPJD-së, me qëllim rritjen e përfshirjes së diasporës në diplomaci publike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka udhëtuar drejt Austrisë, ku të hënën e 14 nëntorit pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës.
Tema e Forumit është “Ekonomia takohet me politikën në kohë të vështira dhe të pasigurta”.
Kjo vizitë e Kurtit vjen pas vizitës zyrtare në Paris, Francë ku ishte pjesë e Forumit të Paqes.
Ndryshe, Forumi Ekonomik në mes të Kosovës dhe Austrisë, me qëllim kryesor, promovimin e bizneseve të të dyja vendeve dhe nxitjen e investimeve nga kompanitë austriake në Kosovë, ishte mbajtur më 21 prill të vitit 2022.