Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ka thënë se është e shqetësuar për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.
Siç raporton N1, Musar ka paralajmëruar një turne në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Më së shumti jam e shqetësuar për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kështu që ky turne me shumë mundësi do të jetë udhëtimi im i parë”, është shprehur Musar.
Ajo theksoi pret ndihmë dhe këshilla nga presidenti në largim Borut Pahor dhe ish-presidentët e tjerë.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Zgjedhor, Natasha Pirc Musar është zgjedhur presidente e Sllovenisë, të dielën e 13 nëntorit, duke marrë 53.89 për qind të votave.
Siç raporton “Rtvslo”, Musar është bërë presidentja e parë grua në Slloveni, duke e lënë pas kundërkandidatin e saj, Anzhe Logar, me 46.11 për qind të votave.
Krerët e Kosovës tashmë ia kanë uruar fitoren presidentes Musar, ani pse ende nuk ka përfunduar numërimi i votave.
Natasha Pirc Musar do ta marrë zyrtarisht mandatin e saj më 22 dhjetor.
Ky mandat do të zgjasë për pesë vjetët e ardhshme.
Natasha Pirc Musar zgjidhet presidente e Sllovenisë, krerët e Kosovës nisin urimet e para