Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme (BE), Peter Stano, ka deklaruar në një konferencë për shtyp se Bashkimi Evropian është i gatshëm të presë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për një takim të nivelit të lartë në Bruksel për të gjetur një zgjidhje evropiane.
“Jemi të gatshëm të mirëpresim të dy në Bruksel për një takim të nivelit të lartë kurdo që të jenë gati për të gjetur një zgjidhje evropiane”, ka deklaruar Stano.
Stano ka thënë se është përgjegjësi e të dyja palëve që të dalin nga situata aktuale, teksa ka shtuar se BE-ja është gjithnjë e interesuar për të gjetur zgjidhje.
“Ajo çfarë po ndodh tani në veri të Kosovës është situata më e rrezikshme që prej vitit 2013”, ka vijuar ai.
Ndryshe, të martën e 15 nëntorit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Të hënën, Borrell në një konferencë për media pas raportimit që bëri para Këshillit të Ministrave të BE-së për zhvillimet e fundit në Kosovë, ka thënë se ai bashkë me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak kanë hartuar propozimin e njohur si franko-gjerman që po përkrahet nga Franca e Gjermania.
Borrell, në një konferencë për media të hënën pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, tregoi se zgjidhja duhet të gjendet para 21 nëntorit.
“Do të nisim takime me kryenegociatorët. Pala kosovare po vjen sonte, jam i gatshëm të bisedoj me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave, dhe atë para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. E dini se tërheqja e serbëve në veri nga Policia, gjyqësori, ka krijuar një vakum. Në këtë vakum më e keqja mund të ndodhë. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, na duhet progres i qartë”, ka thënë Borrell.
Borrell nga Brukseli dha një porosi të qartë për Kosovën dhe Serbinë.
“Duhet të vendosin nëse duan të kthehen në të kaluarën, apo të shkojnë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Joseph Borrell – përfaqësues i lartë i BE-së.
E për t’u dhënë fund mospajtimeve, Borrell tregoi se bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë hartuar një propozim, që po përkrahet nga Franca dhe Gjermania.
“Franca dhe Gjermania kanë qenë përkrahëse të propozimit, i ashtuquajturi propozim franko-gjerman. Është propozim nga unë e Lajçaku, që përkrahet nga Gjermania e Franca. Mund të them propozim evropian. Ne duam të dalim nga pozita e menaxhimit të krizave. Në dy-tri vitet e fundit jam marrë me menaxhim të krizave, targa, apo çfarëdo qofshin ato. Nuk është kjo mënyra se si zgjidhen problemet. Duam një qasje më strukturore. Dua të them se të dyja palët, nuk do të thosha se pajtohen, por nuk e refuzojnë propozimin. Kjo është shumë mirë”, ka shtuar Borrell.
Për situatën e krijuar në veri të Kosovës, Borrell ka raportuar gjatë ditës para Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, raportim që do ta vazhdojë edhe të martën. Përgjatë raportimit pritet të diskutohen edhe tema të tjera.