Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) ka organizuar të martën e 15 nëntorit tryezë diskutimi rreth Perspektivës Demografike të Kosovës në Botën e Mundësive të Pafundme, me rastin e shënimit të Ditës së 8 miliardë banorëve në botë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka qenë pjesëmarrës në këtë tryezë që ka thënë se tema për të cilën po diskutohet është tejet e rëndësishme, pasi që, siç tha ai, një prej aseteve kryesore që ka Kosova është popullata e saj.
Konjufca ka shtuar se vendi do të angazhohet që nëpërmjet mekanizmave që ka në dispozicion, të kontribuojë në nxitjen e bashkëpunimit ndërsektorial, për të kuptuar dhe adresuar nevojat e grupeve të ndryshme demografike të Kosovës.
“Institucionet e Kosovës në përgjithësi duhet të miratojnë ligje dhe politika të cilat sigurojnë barazi dhe gjithëpërfshirje, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe kujdesen për personat dhe familjet në nevojë”, ka thënë Konjufca.
Kreu i Kuvendit ka shtuar se rinia e Kosovës është një ndër asetet kryesore të saj, por që duhet punuar që ajo të ruhet.
“Kosova çdo vit është më pak e re dhe këtë duhet ta kemi në vëmendje. Shtetet bëjnë përpjekje që ta ruajnë popullsinë e tyre, prandaj edhe Kosova duhet të bëjë këtë”, ka shtuar kryetari Glauk Konjufca, duke theksuar se për këtë qëllim nevojitet hartimi i një plani nacional e gjithëpërfshirës.
I pari i legjislativit kujtoi se në vitin 1981 Kosova kishte 2 milionë banorë, ndërsa në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011 kishte 1.6 apo 1.7 milionë banorë.
“Nuk dëshirojmë që në vitin 2060 Kosova të ketë 1.2 milionë banorë”, ka shtuar ndër tjera Konjufca.
Vlen të theksohet, se ai përmendi vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e popullsisë që do të bëhet në vitin 2023, e i cili do të ndihmojë Kosovën edhe në procesin e integrimeve evropiane, nëpërmjet pasqyrimit të saktë të të dhënave demografike e socio-ekonomike.
Ndërsa, Kryetarja e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, Fatmire Kollçaku, ka thënë se ende ka pabarazi në botë dhe se vendet e zhvilluara kanë obligim t’u ndihmojnë vendeve që nuk janë të zhvilluara.
Ndërsa koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, ka theksuar se trendi i natalitetit shumë të ulët, jo vetëm në Kosovë por edhe në botë, ka ndryshuar demografinë e botës.
Me diskutimet e tyre njashtu në këtë tryezë kanë kontribuuar edhe udhëheqësja e zyrës së UNFPA në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, drejtori i Departamentit për Statistika Sociale dhe të Popullsisë në ASK, Avni Kastrati, ligjëruesi universitar Tahir Latifi, përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Adelina Tërshani dhe të pranishëm tjerë.