Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se është nevojë urgjente gjetja e një zgjidhje për situatën aktuale në veri të Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Lajçak ka shkruar se “çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”.
“Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi sot diskutuam për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti çështjen e targave. Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme”, ka shkruar Lajçak.
With DPM @BislimiBesnik today, I am discussing the current crisis in the relations between Kosovo and Serbia, in particular the issue of licence plates. We urgently need to find a solution to ensure safety and stability on the ground. Any escalation or violence is unacceptable. pic.twitter.com/kofh0I1i0c
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 15, 2022
Ndërsa, gjatë ditës së marte, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme (BE), Peter Stano, ka deklaruar në një konferencë për shtyp se Bashkimi Evropian është i gatshëm të presë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për një takim të nivelit të lartë në Bruksel për të gjetur një zgjidhje evropiane.
“Jemi të gatshëm të mirëpresim të dy në Bruksel për një takim të nivelit të lartë kurdo që të jenë gati për të gjetur një zgjidhje evropiane”, ka deklaruar Stano.
Stano ka thënë se është përgjegjësi e të dyja palëve që të dalin nga situata aktuale, teksa ka shtuar se BE-ja është gjithnjë e interesuar për të gjetur zgjidhje.
Të hënën, Borrell në një konferencë për media pas raportimit që bëri para Këshillit të Ministrave të BE-së për zhvillimet e fundit në Kosovë, ka thënë se ai bashkë me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak kanë hartuar propozimin e njohur si franko-gjerman që po përkrahet nga Franca e Gjermania.
Borrell, në një konferencë për media të hënën pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, tregoi se zgjidhja duhet të gjendet para 21 nëntorit.
Borrell nga Brukseli dha një porosi të qartë për Kosovën dhe Serbinë.
“Duhet të vendosin nëse duan të kthehen në të kaluarën, apo të shkojnë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Joseph Borrell – përfaqësues i lartë i BE-së.
E për t’u dhënë fund mospajtimeve, Borrell tregoi se bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë hartuar një propozim, që po përkrahet nga Franca dhe Gjermania.
Për situatën e krijuar në veri të Kosovës, Borrell ka raportuar gjatë ditës para Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së, raportim që do ta vazhdojë edhe të martën. Përgjatë raportimit pritet të diskutohen edhe tema të tjera.