Qeveria e Polonisë po rrit nivelin e gatishmërisë së ushtrisë në përgjigje të shpërthimit pranë kufirit të saj me Ukrainën.
Kështu ka bërë të ditur Zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Muller përmes një konference për shtyp në kryeqytetin, Varshavë, transmeton “The Guardian“.
Duke folur para kamerave, Muller konfirmoi se dy persona ishin vrarë më herët të martën.
Ai u tha gazetarëve se qeveria po shqyrtonte nëse do të nxiste nenin 4 , që do të nënkuptonte një takim të anëtarëve të NATO -s pasi të kërcënohej “integriteti i tyre territorial, pavarësia politike ose siguria”.
Traktati i NATO-s, Neni 5 parashikon që nëse një aleat i NATO-s është viktimë e një sulmi të armatosur, çdo anëtar tjetër i Aleancës do ta konsiderojë këtë akt dhune si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve me ç’rast, NATO do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar aleatin e sulmuar.
Mediat polake raportuan se dy persona vdiqën të martën pasdite pasi një predhë goditi një zonë ku po thahej gruri në Przewodow, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.
Kjo ishte hera e parë që raketat ruse kanë rënë në Poloni.
Ndërkaq, NATO po koordinohet me Poloninë pas sulmit të raketave ruse kundër kësaj të fundit. Një gjë të tillë e ka thënë për BBC-në një zyrtar i NATO-s, i cili tha se po shqyrtojnë raportet me aleatin e ngushtë, Poloninë.