Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “respekton” mohimin e përfshirjes së Rusisë në një shpërthim vdekjeprurës në Poloni gjersa ka shtuar se duhet të ketë hetim të mëtutjeshëm të këtij rasti, shkruan CNN.
“Për ne është e rëndësishme që Rusia të thotë nuk kemi të bëjmë asgjë me të”, ka thënë Erdogan.
Po ashtu ai ka thënë se respekton edhe deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe vendeve të tjera se raketat e hedhura në Poloni mund të mos jenë ruse dhe se “për të e Turqinë është e rëndësishme se çfarë do të thotë Rusia”.
“Më duhet të respektojë deklaratën e bërë nga Rusia se ajo nuk ishte përgjegjëse. SHBA dhe vendet e tjera thanë se raketa nuk ishte e prodhuar nga Rusia”, ka thënë Erdogan të mërkurën në një konferencë shtypi në samitin e G20 në Bali.
“Këtë mëngjes, kur u takova me kancelarin gjerman z. Olaf Scholz, ne gjithashtu ramë dakord se nevojitet hetim i mëtejshëm”, ka vijuar tutje.
Ndërkaq, ministria ruse e Mbrojtjes mohoi çdo lidhje me incidentin, duke deklaruar se operacioni i saj nuk u shtri në vendndodhjen e incidentit.
Ndryshe, të martën Polonia është sulmuar nga dy raketa që kanë lënë të vdekur dy persona.
Polonia është shtet anëtar në NATO dhe nuk ka qenë e përfshirë në konflikt.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka deklaruar se raketat që lanë të vdekur dy persona në Poloni, mund të mos jenë hedhur nga Rusia.
Biden ka thënë se ka informacion paraprak që e kundërshton mundësinë që raketat që ranë të martën e 15 nëntorit në Poloni të jenë hedhur nga Rusia.
“Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajktores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”, ka thënë Biden.
Ndryshe, ambasadorët e NATO-s do të takohen të mërkurën me kërkesë të Polonisë në bazë të nenit 4 të aleancës.
Sipas nenit 4 të traktatit themelues të aleancës, anëtarët mund të ngrenë çdo çështje shqetësuese, veçanërisht lidhur me sigurinë e një vendi anëtar.
Hetimet vazhdojnë për rrethanat rreth një shpërthimi në Przeëodoë, pranë kufirit të Polonisë me Ukrainën që la të vdekur dy persona.
Një nga diplomatët ka thënë se aleanca do të vepronte me kujdes dhe kishte nevojë për kohë për të verifikuar se si ndodhi saktësisht incidenti.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar pasi raketat ruse kanë goditur një fshat në Poloni, duke shkaktuar vdekjen e dy personave.
“Fola me presidentin e Polonisë, Duda, për shpërthimin në Poloni. I shpreha ngushëllimet e mia për humbjet e jetës. NATO po e monitoron situatën dhe aleatët po konsultohen nga afër. Është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.