Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, teksa ka shprehur shqetësim për sulmin e dyshuar raketor në Poloni duke bërë thirrje për shmangien e përshkallëzimit të luftës në Ukrainë.
Të martën e 15 nëntorit, si pasojë e rënies së raketës në territorin e Polonisë, mbetën të vdekur dy persona.
Guterres është “shumë i shqetësuar nga raportet për shpërthimin e raketave në territorin polak. Është absolutisht thelbësore të shmanget përshkallëzimi i luftës në Ukrainë”, ka thënë zëvendësi i zëdhënësit të OKB-së, Farhan Haq, në një postim në Twitter.
Duke folur në emër të Guterresit, Haq ka thënë se sekretari i përgjithshëm i OKB-së shpreh ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe shpreson se do të kryhet një hetim i plotë i kësaj ngjarjeje, shkruan REL.
Ndryshe, ambasadorët e NATO-s do të takohen të mërkurën me kërkesë të Polonisë në bazë të nenit 4 të aleancës.
Sipas nenit 4 të traktatit themelues të aleancës, anëtarët mund të ngrenë çdo çështje shqetësuese, veçanërisht lidhur me sigurinë e një vendi anëtar.
Hetimet vazhdojnë për rrethanat rreth një shpërthimi në Przewodow, pranë kufirit të Polonisë me Ukrainën që la të vdekur dy persona.