Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u tha aleatëve se raketa që vrau dy njerëz në Poloni ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.
Biden organizoi të mërkurën e 16 nëntorit një takim të vendeve anëtare të G7-s dhe partnerëve të NATO-s, ku u diskutua për rënien e raketave në territorin polak një ditë më herët.
“Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka informuar G7-n dhe partnerët e NATO-s se raketa që ra në territorin polak është një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase”, raportoi Reuters, duke cituar burime të NATO-s.
Biden të mërkurën publikisht ka thënë se raketa nuk kishte gjasa të ishte lëshuar nga Rusia.
Nëse konfirmohet, kjo ka të ngjarë të lehtësojë shqetësimin se incidenti i parë vdekjeprurës në një vend të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë mund të çojë në përshkallëzim.
Një raketë e prodhimit rus goditi të martën fshatin polak Przewodowo, që ndodhet në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës, duke vrarë dy persona.
Ndryshe, ambasadorët e NATO-s do të takohen të mërkurën me kërkesë të Polonisë në bazë të nenit 4 të aleancës.
Sipas nenit 4 të traktatit themelues të aleancës, anëtarët mund të ngrenë çdo çështje shqetësuese, veçanërisht lidhur me sigurinë e një vendi anëtar.
Hetimet vazhdojnë për rrethanat rreth një shpërthimi në Przewodow, pranë kufirit të Polonisë me Ukrainën që la të vdekur dy persona.