Dhjetëra kilogramë heroinë të cilat dyshohet se po transportoheshin nga Turqia në Kosovë, ishin fshehur në një kamion që po barte reflektorë.
Gjithë kjo sasi e narkotikëve, u zu para pak muajsh nga organet e drejtësisë.
Në paraburgim tashmë po qëndrojnë dy persona, përderisa Televizioni Dukagjini ka mësuar se ata po dyshohen për organizim të grupit kriminal, si dhe për posedim e transport të narkotikëve.
Rasti, një ditë më parë u shënjestrua nga Prokuroria Speciale.
Dukagjini ka mësuar se personi që po e voziste kamionin, ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se ishte duke bartur narkotikë, përderisa ka thënë se dikush prej të afërmve të tij i ka thënë që mjetin me reflektorë ta dërgoj deri në një destinacion të caktuar.
“Reflektori” është bërë rasti i 84-të i shënjestruar nga Prokuroria Speciale.
“30 prej rasteve të shënjestruara janë raste të plotfuqishme. 11 të tjera janë vendosur në shkallë të parë, 31 raste janë në fazë të gjykimit, kurse gjashtë raste janë në fazën e hetimeve”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale.
Megjithatë, juristi Leotrim Gashi tregon se nga gjithë këto raste, nuk ka pasur shumë rezultate.
“Nuk kemi parë një sukses të madh të trajtimit të tyre. Numri më i madh i rasteve të shënjestruara kanë të bëjnë kryesisht me rastet në të cilat të akuzuarit i takojnë sferës së rasteve të narkotikëve apo armëve, mirëpo nuk kemi raste të mëdha në të cilat janë të akuzuar zyrtarë të lartë të shtetit të akuzuar për korrupsion”, ka thënë Gashi.
Sikur Prokuroria, Gashi vlerëson se as Gjykata nuk ka bërë punë të mirë në trajtimin e këtyre rasteve.
“Ne nuk kemi parë që gjykatat kanë trajtuar me prioritet këto raste dhe këto janë trajtuar sikurse çdo rast tjetër, aq më keq ka pasur raste të shenjestruara të cilat edhe janë parashkruar gjatë kohës së gjykimit të tyre”, thekson ai.
Disa prej rasteve të shënjestruara, janë një prej kushteve që i janë vënë Kosovës për liberalizimin e vizave.