Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy të mërkurën e 16 nëmtorit ka thënë se kishte mbajtur një takim një ditë më parë me drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA) William Burns, i cili aktualisht ndodhet në rajon për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.
Burns ka vizituar Kievin ndërsa Rusia e ka goditur qytetin me raketa. Zelensky ka treguar se kreu i CIA-s kishte kaluar kohë në një strehë për bomba përpara se të takoheshin.
“Ne patëm një takim me të… (ne) biseduam për të gjitha çështjet që janë të rëndësishme për Ukrainën,” ka theksuar Zelensky në një konferencë televizive për shtyp, duke thënë se kishin diskutuar atë që ai e përshkroi si kërcënim bërthamor të Rusisë.
Ndërsa në Uashington, një zyrtar amerikan ka thënë se Burns kishte udhëtuar në Kiev për të takuar presidentin ukrainas dhe homologët e inteligjencës pas udhëtimit të tij në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, raporton euronews.
Burns ishte takuar me shefin e spiunazhit të presidentit rus Vladimir Putin, Sergei Naryshkin, në Turqi të hënën e 14 nëntorit duke kryer kontaktin e parë të njohur dhe të nivelit të lartë personalisht ShBA-Rusi që kur Moska ka pushtuar Ukrainën më 24 shkurt.
Gjatë takimit, kreu i CIA-s ka ngritur çështjen e armëve bërthamore dhe të burgosurve amerikanë në Rusi.