Inteligjenca është një aftësi shumë e vlerësuar, mirëpo matjes së saj nuk i është kushtuar aq shumë rëndësi në vendin tonë.
I ftuar në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin, në Radio Dukagjini për të biseduar për inteligjencën ishte psikologu dhe profesori Florim Gallopeni.
Gallopeni e përshkroi inteligjencën e përgjithshme si aftësi të një përsoni që të përballet me situata të reja. Ai deklaroi se ka shumë lloje të ndryshme të inteligjencave. Inteligjenca e përgjithshme sipas tij ndahet në inteligjencë fluide, që nënkupton aftësinë e përballjes me situata të reja, dhe inteligjencë të kristalizuar, që është kur personi veçse është përballur me një përvoje të ngjashme, dhe shfrytëzon diturinë për t’u përballur sërish. Inteligjenca sipas psikiatrit përcakton potencialin dhe kapacitetin e një personi, si dhe determinon edhe rezultatet, megjithëse nuk është faktori i vetëm, por është faktor shumë i rëndësishëm.
Gallopeni shton se matja e inteligjencës bëhet me anë të testeve të ndryshme, mirëpo të gjitha përafërsisht kanë masa të njëjta matjeje, e që ka filluar të futet në funksion që nga viti 1904.
Sipas psikologut, inteligjenca mesatare ka një koeficient prej 85 deri në 114, ku bëjnë pjesë shumica e popullsisë, apo rreth 68%. Inteligjenca mbimesatare është nga 115 deri 119, inteligjenca superiore nga 120 deri 129, si dhe inteligjenca shumë superiore mbi 131. Në këto kategori bëjnë pjesë 16% e popullsisë, teksa në kategorinë shumë superiore parashihet të jenë vetëm 1% e popullatës.
Në anën tjetër nënmesatare vlerësohet koeficienti 7- deri 84, me ngecje të lehtë koeficienti 55 deri 70, me ngecje të mesme 40 deri 55, si dhe nën 40 cilësohen persona me ngecje të rëndë në zhvillim. Në këto kategori bëjnë pjesë poashtu 16% e popullsisë.
Gallopeni deklaroi se Kosova ende nuk e ka një test të inteligjencës që ka normat vendore, andaj ne në çdo matje i referohemi normave ndërkombëtare. Sipas tij krijimi i normave vendore nuk ka ndodhur ende për shkak se testimi i inteligjencës në vendin tonë ende konsiderohet si luks, e rëndësisë jo të madhe.