Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas takimit me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, duke thënë që në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve.Gjersa ka bërë të ditur se ky i fundit ka rikonfirmuar mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në KE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare
“Presidentja ka shfaqur bindjen se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përfundimin e procesit të liberalizimit, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ndërkaq, kryetari Sobotka e rikonfirmoi vazhdimin e përkrahjes së Austrisë për këto synime”, njofton Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës.
Osmani në rrjetin e saj social Facebook ka bërë të ditur se me Sobotka ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka thënë se ky proces duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke dhe ta ruajë pacenueshmërinë e sovranitetit dhe të rendit kushtetues të Kosovës.
Tutje, Osmani në postimin e saj në rrjetin social Facebook ka thënë, se Kosova i është mirënjohëse Austrisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në rrugëtimin euroatlantik.
“Kosova i është mirënjohëse Austrisë për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin tonë euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani.
Osmani ndër të tjera, ka theksuar se Austria mbetet partnere e besueshme dhe e përkushtuar për forcim të raporteve, si dhe për ndërtimin e një Evrope më paqësore, demokratike e të sigurt.
“Dy shtetet tona mbeten partnere të besueshme dhe të përkushtuara për t’i forcuar raportet bilaterale, të udhëhequra nga vizioni ynë i përbashkët për një Evropë më paqësore, më demokratike dhe më të sigurt”, ka bërë të ditur Osmani në postimin e saj.
Presidentja njashtu ka vlerësuar mbështetjen e Austrisë për Kosovën dhe ka çmuar faktin se Austria ka qenë ndër përkrahëset e hershme të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri. Ajo i shprehu mirënjohje Austrisë për kujdesin ndaj popullit të Kosovës, në veçanti ndaj arsimit të të rinjve, kur kjo e drejtë po u mohohej në vendin e tyre.
“Populli i Kosovës nuk mund ta harrojë mbështetjen që Austria ua dha të rinjve tanë, duke i njohur diplomat e institucioneve tona të arsimit gjatë periudhës së okupimit, duke u krijuar atyre mundësi të shkëlqyera që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të kontribuojnë më pas për vendin e tyre. Sot shumë sish janë pjesë e rëndësishme e institucioneve tona”, ka theksuar presidentja Osmani, njofton Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër siç njofton ZPK, Kryetari i Parlamentit Austriak, Wolfgang Sobotka, e ka falënderuar Presidenten Osmani për vizitën dhe ka theksuar se Austria është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve, si dhe ka theksuar gatishmërinë e Austrisë për bashkëpunim të mëtejmë.