Pas akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës, ndaj Ministrisë së Infrastrukturës për nënshkrimin e 42 kontratave burimore, ka reaguar zëvendësministri Hysen Durmishi, i cili ka mohuar akuzat duke thënë se nuk e kanë shkelur asnjë ligj.
PDK-ja e ka akuzuar këtë ministri, se përveç se kanë nënshkruar kontrata një burimore edhe ju kanë dhënë buxhet për punë shtesë në projektet e kontraktuara, kështu sipas tyre duke i keqpërdorur rreth 9 milionë euro.
Përmes një njoftimi në Facebook, Durmishi ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj deklaratave të bëra nga anëtarët e PDK-së.
“Të gjitha kontratat tjera janë të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara, me gabime të mëdha, në projekte, paramasa, pozicione të pa parashikuara e duke lënë gjithmonë hapësirën për penallti, pra ku Ministria obligohet të paguaj dëmshpërblime milionëshe pa asnjë punë të kryer”, ka deklaruar Durmishi.
Tutje Durmishi, ka akuzuar PDK-në, se në të kaluarën ka abuzuar me buxhetin e shtetit. Sipas tij një projekt në qeverisjen e PDK-së ka kushtuar rreth 19 milionë euro, tash kushton 9.
“Mirëmbajtja verore e dimërore për rrugët regjionale e nacionale qeverisjeve të kaluara ju ka kushtuar 19 milion euro në vit. Kurse në qeverisjen tonë për një vit për rrugët e njejta vetēm 9 milion euro. Edhe më lirë e natyrisht edhe më mirë. Kjo parti është në hall me xhepin e saj që e kishte të lidhur me buxhetin e shtetit”, ka shtuar Durmishi.
Gjatë ditës së enjte, Partia Demokratike e Kosovës, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës, për keqpërdorim të 9 milionë eurove.
Sipas PDK-së, janë nënshkruar 42 kontrata një burimore, për shumicën e të cilave janë dhënë punë shtesë. Kjo parti ka paralajmëruar se do të ushtrojnë padi ndaj kësaj ministrie.
PDK: Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur 9 milionë euro