Policia e Kosovës po ruan objektin brenda të cilit një anëtar serb i shoqërisë civile akuzon për keqtrajtim pikërisht pjesëtarët e këtij institucioni.
Miodrag Miliçeviq, i cili drejton organizatën “Aktiv” në veri të Mitrovicës ka thirrur konferencë për të sqaruar, siç thotë, spekulimet e disa media shqiptare rreth rastit.
Ai vazhdon të pretendojë se mëngjesin e 14 nëntorit është keqtrajtuar fizikisht dhe verbalisht nga pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë në veri vendit.
Rrëfimin e versionit të tij, Miliçeviq e nis duke thënë se në afërsi të Leshakut ka tentuar të tejkalojë njërën prej tri veturave në kolonës së Policisë.
Pasi i është bërë e ditur se nuk mund ta bëjë këtë veprim, Miliçeviq thotë se disa kilometra tutje është ndaluar nga Policia.
“Polici në fjalë ka shikuar në anën e djathtë dhe të majtë qartë duke shikuar a ka dëshmitarë dhe më ka grushtuar në pjesën e majtë nën brinjë. Nuk e di me çka është provokuar por kjo ka ndodhur. Pas kësaj nuk ka pasur kurrfarë komunikimi përveç që më kanë urdhëruar të hapë bagazhin, i kanë nxjerrë të gjitha gjërat jashtë, e kanë thyer plastikën në veturë pa kurrfarë arsye”, ka deklaruar Miodrag Miliçeviq, nga Organizata “Aktiv”.
Sipas tij, lokacioni ku ka ndodhur rasti është ish-vendkalimi i mëparshëm kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili gjendet rreth 1 kilometër larg vendkalimit zyrtar në Jarinje.
Gjatë fjalës fillestare të tij në konferencë, Miliçeviq nuk ka përmendur nëse në atë hapësirë ka pasur kamera të sigurisë, derisa është pyetur nga gazetarët.
“Aty është instaluar baza e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës vitin e kaluar e cila ka kamera dhe kjo është pjesë që më ka ikur që thash se unë do të kërkojë zyrtarisht nga Policia incizimet në mënyrë që të vërtetohet se kush nga policët ka shkelur kompetencat dhe në çfarë mënyre ka shkuar e gjithë situate në mënyrë që kjo të ndihmojë që rasti të sqarohet”, ka thënë ai.
Të hënën kur Miliçeviq thotë se ka ndodhur rasti, Policia ka mohuar se ka pasur ndonjë incident apo se ai është maltretuar.
Miliçeviq thotë se për sjelljen e policëve është ankuar në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Atë ditë, Miliçeviq thotë se ishte nisur për të shkuar në Sarajevë, duke treguar se ka kryer kontrolle mjekësore në Novi Sad të Serbisë.