Të paktën 21 persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një zjarr shpërtheu në një ndërtesë banimi në kampin e dendur të refugjatëve Jabalia në Rripin verior të Gazës, sipas burimeve lokale, raporton Al Jazeera.
Ambulancat dërguan disa të plagosur në spitalet lokale. Izraeli, i cili së bashku me Egjiptin mban një bllokadë në Gaza, tha të enjten se do t’i lejonte ata që kanë nevojë për trajtim mjekësor.
Agjencia palestineze e lajmeve ËAFA raportoi se disa fëmijë ishin në mesin e të vdekurve.
Ministria e Brendshme e Gazës tha se një hetim fillestar zbuloi se sasi të mëdha benzine ishin ruajtur në vend, duke nxitur zjarrin që përfshiu shpejt ndërtesën.
Zjarrfikësve iu deshën më shumë se një orë për të vënë nën kontroll flakët masive që shpërthyen në katin e fundit të një ndërtese banimi katërkatëshe. Dëshmitarët thanë se mund të dëgjonin ulërima, por nuk mund të ndihmonin të bllokuarit brenda për shkak të intensitetit të zjarrit.
Hamasi, i cili qeveris Gazën, tha se një hetim ishte duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e zjarrit.
“Është një incident tragjik. Shumë nga viktimat nuk janë identifikuar ende pasi janë djegur keq”, tha korrespondenti i Al Jazeera, Youmna ElSayed, duke raportuar nga Gaza.
Ajo tha se qirinjtë e ndezur gjatë një festimi të ditëlindjes shkaktuan zjarrin. “Kur u ndezën qirinjtë, një zjarr shpërtheu shpejt dhe ndodhi një shpërthim,” tha ajo.
Shërbimet e mbrojtjes civile në qytet nuk janë të pajisura në mënyrë adekuate për të trajtuar në mënyrë efektive emergjenca të tilla, tha ElSayed i Al Jazeera.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e quajti atë një tragjedi kombëtare dhe tha se do të kishte një ditë zie.