“Holanda tani mund të bie dakord për liberalizimin e vizave pasi përditësimi dhe raporti i progresit i Komisionit Evropian për Kosovën i vitit 2022 tregon një trend pozitiv”.
Kështu ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës në një përgjigje për Portali Dukagjini.
Në këtë përgjigje thuhet se Holanda në këtë raport të KE-së ka parë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kemi parë kryesisht progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, migrimin dhe menaxhimin e kufijve dhe kundër terrorizmit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Tutje Holanda përgëzon progresin e bërë në agjendën e reformave nga qeveria Kurti gjersa ka shtuar se ky progres tani do të duhet të vazhdojë.
“Është shumë e rëndësishme që Kosova të harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me politikën e vizave të BE-së. Qeveria do të monitorojë progresin në këtë drejtim”, thuhet tutje.
Vlen të theksohet, Holanda dhe Franca janë dy prej vendeve anëtare të BE-së që kanë qenë skeptike për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.