Këngëtarja shumë e dashur për publikun Albina Kelmendi, me një zë dhe talent të jashtëzakonshëm, ka folur për projektet që është duke i realizuar.
Në një bisedë në emisionion “Radar” me Edita Dolin, në Radio Dukagjini, Albina e cila vjen nga një familje muzikantësh, tregoi se pas një sezone të ngarkuar me ahegje, dasma e mbledhi familjare, tashmë i është kthyer realizimit të disa projekteve që i kishte planifikuar më herët.
“Kam vendosur që pas një sezone bukur të ngarkuar, t’i përkushtohem realizimit të projekteve që i kam për zemër me bashkëpuntorët që unë po ndihem rehat”, ka thënë Kelmendi.
Këngëtarja e njohur së fundmi ka publikuar një projekt të ri muzikor me titullin “Nanë moj kom gabu” të cilën e ka shoqëruar edhe me videoklip. Ajo tregoi se producent i këngës është Armend Rexhepagiqi, ndërsa teksti u shkrua nga Aida Baraku, ndërkaq, instrumentali i këngës u realizua nga Fatjon Miftari.
“Bashkëpunimin ia kam besuar Armendit dhe Aidës. Nuk ka pasur asnjë preferencë nga ana ime, thjeshtë i kam lënë ata të punojnë punën e tyre të mrekullueshme. Aida është një tekstshkruese e pazëvendësueshme”, ka thënë Kelmendi për Radio Dukagjini.
Ky projekt i Albinës vjen pak javë pasi këngëtarja kurorëzoi dashurinë me martesë me biznesmenin e njohur, Valon Vataj.
Ajo tregoi se është duke punuar edhe për albumin e saj solo me bashkëpunëtorët Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku.
Krahas angazhimeve muzikore, Albina Kelmendi këtë vit do të jetë pjesë e Festivalit të Këngës në RTSh.
Duke folur për këtë pjesë, artistja nga Kosova tha se ndihet e fuqishme dhe e bindur për këngën me të cilën do të konkurrojë, të cilën e sheh si fituese.
“Arsyeja pse vendosa të marr pjesë është sepse ndihem shumë e fuqishme nga faktorët që më rrethojnë. Në këtë rast nga bashkëpunëtorët e mi, kompozitori dhe tekst shkruesja. Do të ngjitem me familjen time që më bën të ndihem më e fuqishme. Do t’i dhuroj atij festivali një këngë siç e meriton. Meritojmë vendin e parë meqë është dhe një veçanti tjetër që do të ngjitet një familje së bashku në skenë. Ndaj presim që të vlerësohemi ashtu siç e meritojmë. Kësaj herë është më ndryshe. Çdo vit kam pasur kërkesa për të marrë pjesë por nuk e kam ndjerë veten mirë me këngët që më janë ofruar. Këtë vit, përderisa e kam këtë siguri, pres që të vlerësohem me vendin e parë. Është diçka ndryshe nga vitet e kaluara, dhe nuk kam dyshim që publiku nuk do ta dojë këngën. Ajo që bën jep ndjenjën më të mirë është publiku po fitova publikun, është gjithçka për mua”, u shpreh Albina.