Kosova, sikurse edhe Evropa, ka disa muaj që ka nisur të ndërmarrë masa për ta përballuar më lehtë krizën e energjisë.
Masat, por edhe fushata për kursim të energjisë elektrike, eksperti Lulzim Syla tregon se kanë dhënë efektet e para, duke bërë që konsumi për këtë vit të jenë 6 për qind më i ulët sesa vitin e kaluar.
“Bashkimi Evropian ka miratuar mbështetjen për rreth 75 milionë euro të Kosovës në fushën e përballimit të situatës me energji elektrike, që është një ndihmesë shumë e mirë dhe shumë e madhe në momentin e duhur, dhe pika e dytë është treguesi që qytetarët e Kosovës janë vetdijësuar mbi formën dhe mundësitë e kursimit të energjisë elektrike”, ka theksuar Syla.
Kursimi në këtë kohë konsiderohet mjaft i rëndësishëm edhe nga eksperti tjetër Arben Kllokoqi.
“Jo vetëm të promovohet kursimi, por edhe të shikohet se çfarë mekanizma obligativ mund të vendosen për kursim, sepse këtë është duke e shqyrtuar Evropa, në qoftë se nuk ka kursim të mjaftueshëm, ata po e shqyrtojnë mundësinë që kursimi të bëhet obligativ, sigurisht sidomos në ato periudha kur parashihet të ketë kërkesë të lartë, por jo edhe furnizim të mjaftueshëm mbase”, ka potencuar Kllokoqi.
Para disa muajsh, parashikimet ishin që çmimi për energji elektrike gjatë dimrit të mbërrijë shifrat më të larta ndonjëherë.
Mirëpo, Kllokoqi tregon se diçka ka ndryshuar javët e fundit.
“Meqë filim vjeshta kishte klimë më të mirë, nuk ishte shumë e ftohtë, pastaj gjithashtu kishte pak të rreshura, dhe në fund edhe parashikimi se do të ketë erë të madhe, erë në kuptimin që do të ketë resurs të prodhimit të energjisë elektrike, sidomos në Gjermaninë Perëndimore, kjo e bëri që pastaj çmimet në treg të relaksoheshin”, ka shtuar ai.
Megjithatë, Kllokoqi thekson se në rast të një dimri më të ftohtë dhe nëse vështirësohet situata e furnizimit me gaz, atëherë çmimet në tregun afatshkurtë mund të rriten përsëri.