Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoni do të diskutojë propozimin e heqjes së posedimit të detyrueshëm të çertifikatës së vaksinimit për tejkalim në kufijtë e Maqedonisë.
Për momentin, çertifikata mbetet e vlefshme për hyrjen në një pjesë të mbyllur të objekteve hotelierike, sepse Komisioni vlerëson se është i nevojshëm një lehtësim gradual i kufizimeve.
”Lehtësimi i masave restriktive po vijojnë me tempon e duhur, varësisht nga gjendja epidemiologjike në vend. Propozimi i ri është lehtësimi i masës për të hyrë në vend pa çertifikatë vaksinimi. Kjo duhet të shqyrtohet dhe pastaj të miratohet nga Qeveria”, thonë nga KSI.
Në seancën e Qeverisë, javën e kaluar u miratua masa për heqjen e maskave në ambiente të mbyllura, me përjashtim të objekteve shëndetësore, barnatoreve, transportit publik, shtëpive të të moshuarve dhe institucioneve të kujdesit për personat me aftësi të kufizuar.
Çertifikata e vaksinimit është një kod personal QR që dokumenton vaksinimin kundër COVID-19. Me posedimin e kësaj çertifikate, si dëshmi e vaksinimit, qytetarët kanë mundësinë të udhëtojnë jashtë vendit.