Pas katër vjetësh, Jack Smith hoqi dorë nga hetimi i krimeve të pretenduara të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.
Amerikani la pozitën e Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale dhe rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së për hetuar mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga ana e ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Largimin e tij po e vlerëson pozitiv për mbrojtjen, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Humbja e një kryeprokuroi me përvojë si ai, e ngrit në në avantazh mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Është një lajm i mirë për mbrojtjen pasi tek ekipi i Prokurorisë do të mungojë një kryeprokuror me përvojë të madhe në krimet e luftës.,… Meqë Prokuroria dhe mbrojtja janë në procedurë gjyqësore atëherë sa herë që njëra palë dobësohet, pala tjetër të themi është në avantazh”, ka theksuar Alija.
Por vlerësime tjera ka në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Medina Kadriu nga ky institut përveç që vlerëson se procesi gjyqësor do të ngecë sërish, ajo thotë se largimi i kryeprokurorit ka qenë jo transparent.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ishte ajo që njoftoi e para për dorëheqjen e zotit Jack Smith nga kjo pozitë, në një farë forme duke mos respektuar parimin e transparencës ndaj opinionit publik në Republikën e Kosovës. Qytetarët e Kosovës u njoftuan me anë të komunikatës të Departamentin të Drejtësisë së SHBA-së dhe konferencës që u mbajt atje”, është shprehur Kadriu.
Pas largimit të Smithit, kritika ndaj tij ka adresuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë.
“Ky prokuror nuk mori asnjë vendin në favor të të akuzuarve, as te masa e paraburgimit, as te mundësia e zëvendësimit të kësaj mase, e as te trajtimi shëndetësor. Në mënyrë të paskrupullt dhe joprofesionale fshehu provat shfajësuese për të akuzuarit dhe me shumë vonesë dorëzoi provat e kërkuara nga mbrojtja. Pra , bëri të pamundurën të pengojë mbrojtjen e të akuzuarve”.
Jack Smithin do ta zëvendësojë Alex Whiting i cili tani është ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Whitnig ka qenë prokurori i cili ka kryesuar hetimet në gjykimin kundër Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balës.
Mirëpo, Smith nuk është i vetmi që ka braktisur Zyrën e Prokurorit të Specialuzar ndër vite.
Ngjashëm kishte vepruar edhe ish-kryeprokurori David Schwendiman. Ai kishte thënë se largimi i tij vjen si shkak i skadimit të afatit të emërimit të tij që të shërbejë për 3 vite si officer i lartë Shërbim të Jashtëm në Departamentin Amerikan të Shtetit.