Gjendja e rëndë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas tashmë është evidente.
Pos vështirësive financiare sfidë e kanë edhe arsimin e diskriminim brenda institucioneve arsimore.
Një rast të tillë e ka evidentuar njohësi i arsimit, Argjend Osmani.
“Në shkollat ku mbahet mësimi në shkollat serbe kemi një diskriminim, racizëm të paparë ndaj këtyre nxënësve ku Nxënësit ashkali, rom dhe egjiptas nuk lejohen fare të vijojnë mësimet në të njëjtën klasë me nxënësit serb apo ata që flasin gjuhën serbe pa marr parasysh nacionalitetin që mund ta kenë”, ka thënë Osmani.
Për gjendjen e këtyre komuniteteve është publikuar edhe një raport i Avokatit të Popullit. Sipas tij gjendja është me e keqe se në vitin 2017.
“Përfshirja e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në sistemin para fillor në vitin 2017 ishte 53%. Objektivi i vendosur nga Plani Strategjik i Arsimit të Kosovës ishte që rritja e përfshirjes të shkonte në 70% deri në vitin 2021. Në vend të kësaj, ndoshta edhe për shkak të pandemisë shkalla e përfshirjes ra me nëntë pika të përqindjes në 44,9%”.
Ai që e punoi këtë raport, Xhavit Rexhaj po thotë se gjendja është mjaftë negative.
“Fëmijët shkojnë në shkollë me përjashtim të fëmijëve rom, ashkali, egjptjan të cilët nuk kanë përfshirje të duhur as në arsimin fillor e as në edukimin para-universitar”, është shprehur Rexhaj.
Ndryshe, të shtunën Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë me dije që kanë hapur thirrjen për përfitimin e bursave për 100 studentë nga radhët e komuniteteve Ashkali, Egjiptian dhe Rom për të gjitha drejtimet në të gjitha universitetet publike.