Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në komunën e Deçanit, ku tani raportohet se është çarë në mes ura që lidh fshatrat e kësaj komune.
Kjo çarje rrezikon që banorët e fshatit Vranoc të Vogël të mos kenë mundësin të kalojnë për në fshatrat tjerë.
Kryesisht zona e Dukagjinit është vërshuar nga reshjet e mëdha, në dy qytete situata aktualisht raportohet edhe nga banorët se është shumë më e rëndë ku tashmë sasia e ujit ka përfshirë shumë lagje.
Në qytetin e Pejës dhe atë të Istogut situata duket të jetë pak më e rënduar siç shihet edhe në fotot dhe videot që shfaqin këto vërshime, raporton Portali Dukagjini.
Vërshimet e shiut kanë përfshirë edhe komunë e Junikut, nënkryetari i kësaj komune ka kërkuar ka qytetarët e Junikut që te kenë kujdes më të shtuar.
Ai gjithashtu ka thënë se niveli i ujit ne Lumin Erenik mund të rritet e rrezikon të dalë nga shtrati.
“Ju lutemi për kujdes të shtuar për shkak të reshurave të dendura të shiut që kanë përfshirë Komunën tonë, e që ka bërë që niveli i ujit në Lumin Erenik të rritet e që pastaj rrezikon edhe të dal nga shtrati”, ka thënë nënkryetari i Junikut, Besart Tofaj.
Ndërsa, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” , ka njoftuar se si shkak i reshjeve të dendura atmosferike Fushë Kosova mbetet pa furnizim me ujë duke filluar nga ora 10:00.
Sipas tyre, kjo situatë do zgjasë deri në përmirësimin e situatës me turbullirë.
Po ashtu, sipas tyre se kjo situatë e bën të pamundur trajtimin e ujit në Shkabaj, e në të njëjtën kohë çrregullime të furnizimit me ujë do të ketë edhe komuna e Drenasit.
Ndërkaq, pasojat e reshjeve të mëdha të shiut të shtunën e 20 nëntorit ka bërë që banorët e Mitrovicës të mbesin pa ujë.