Policia e Kosovës ka njoftuar se masa e gjobitjes për pronarët e automjeteve që qarkullojnë me targa ilegale të cilat nuk i kanë konvertuar në ato RKS, do të fillojë pas datës 21nëntor.Policia e Kosovës ka njoftuar se deri të dielën e 20 nëntorit janë shqiptuar gjithsej një mijë e 740 qortime, ndaj ndaj drejtuesve të automjeteve me targa ilegale.
Përmes një njoftimi për media, policia ka bërë të ditur se sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës pas datës 21 nëntor do të fillojnë me shqiptimin e masës së qortimit.
“Ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data një nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot janë shqiptuar rreth 1.740 qortime”, thuhet në njoftim.
“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga 22 nëntor deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi”, vijon njoftimi.
Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.
Shumica e serbëve në veri kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kanë bërë thirrje Kosovës që të të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.