Pas përfundimit të takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka pritur në takim, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan REL.
Borrell kishte njoftuar se fillimisht do të mbajë takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Më pas pritet takimi i përbashkët.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“T’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai në Twitter.
Ky takim ndodh pikërisht në ditën kur ishte paraparë të fillojë faza e dytë e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale.
Sipas një komunikate për media nga BE-ja, thuhet se fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.