Tahirsylaj: Vërshimet, shkas i degradimit të natyrës

Profesori i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, gjatë një bisede në emisionin “Radar” me Edita Dolin, në Radio Dukagjini ka thënë se "vërshimet kanë ardhur si pasojë e degradimit të natyrës, prerjes së pyjeve nga keqbërësit pa kurfarë kontrolli, degradimi i shtretërve të lumenjëve dhe mos përfillja e planifikimit hapsinor"

Profesori i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj





Reshjet e shiut që po vazhdojnë të bien tash e tri ditë në Kosovë, e që gjatë së dielës kanë shkaktuar vërshime në disa komuna, pritet që nga e hëna të kenë intensitet më të ulët, ndërsa të mërkurën pritet të nis përmirësim i motit.

Kështu ka vlerësuar profesori i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, gjatë një bisede në emisionin “Radar” me Edita Dolin, në Radio Dukagjini.

Profesori i meteorologjisë, ka vlerësuar se vërshimet kanë ardhur si pasojë e degradimit të natyrës, derisa ka kërkuar nga institucionet të respektohen ligjet e meteorologjisë.

“Vërshimet kanë ardhur si pasojë e degradimit të natyrës, prerjes së pyjeve nga keqbërësit pa kurfarë kontrolli, degradimi i shtretërve të lumenjëve dhe mos përfillja e planifikimit hapsinor. Andaj, duhet të kërkohet që institucionet shtetërore të respektojnë ligjin për meteorologjinë, ligjin për cilësinë e ajrit dhe ligjin për mbeturinat, ligje këto të aprovuara në Bruksel”, ka thënë Tahirsylaj për Radio Dukagjini.

Sipas Tahirsylaj, java e katërt e nëntorit parashihet me kushte të paqëndrueshme meteorologjike, do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes dhe veriperëndimit, por nga e enjtja do të ketë përmirësim të motit ku do të kemi edhe rreze dielli.