Komisioni Qendror Zgjedhjeve, të hënën e 21 nëntorit ka vendosur që të ndryshojë afatin e aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat veriore të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor të vitit 2022.
“Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022. Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori në 28 nëntor 2022. Po ashtu, KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022”, ka thënë Elezi.
Sa i përket afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike i ka filluar më 15 nëntor, deri tani, më 21 nëntor, KQZ-ja ka pranuar dy aplikime për certifikim.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të shtyrë afatin për regjistrim të partive politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në veri të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për RTV Dukagjini anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Alim Rama.
Ai megjithëkëtë ka mohuar se kjo kërkesë ka të bëjë me zhvillimet politike në Bruksel dhe mundësinë e kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
“Jo nuk ka të bëjë me këtë, sepse unë këtë çështje e kam ngritur që nga e marta e kaluar. Në kërkesën time i kam paraqitur arsyet që konsideroj se nuk janë projektuar siç duhet këto afate dhe është hera e parë që nuk kanë kaluar nëpër Këshilla komunalë Zgjedhorë”, tha Rama për televizionin.
Ai ka shtuar se ka gjasa që kjo mbledhje do të mbahet në mënyrë elektronike, sepse kryesuesi i KQZ-së nuk është në Kosovë.