Prishtina do të jetë nikoqiri i organizimit të Superkupës së Kosovës në Basketboll, njofton FBK-ja.
Federata e Basketbollit të Kosovës para pak çastesh ka zyrtarizuar vendimin e Bordit, ndërsa aty janë saktësuar edhe datat e mbajtjes së turneut të Superkupës që janë prej 7 deri më 11 dhjetor 2022, përcjell Portali Dukagjini.
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 21.11.2022 e ka shqyrtuar ofertën e KB Sigal Prishtina për organizimin e Superkupës së Kosovës në datat 07-11 Dhjetor 2022 në Prishtinë dhe njëherësh e ka miratuar këtë ofertë, si dhe e ka udhëzuar KB Sigal Prishtina që të fillojë përgatitjet për këtë event madhështor, konform Udhëzuesit për Organizimin e Superkupës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e nënshkruar nga Arben Fetahu.