Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka thënë se gjatë takimit në Bruksel midis dy palëve, Kosova ka propozuar që të pezullojë fazat e mëtutjeshme lidhur me çështjen e targave.
Kjo në këmbim që Serbia të mos lëshojë targa ilegale me akronimet e qyteteve të Kosovës.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian të fillojë procesin e bisedimeve për propozimin e fundit të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.
Por, për “habi”, BE-ja këtë nuk e pranoi, thotë Bajrami.
“Në takimin urgjent të ftuar nga Josep Borrell, Kosova ka propozuar të pezullojë fazat e mëtutjeshme për targat, në këmbim që Serbia të ndalojë së lëshuari targa ilegale dhe Serbia të fillojë procesin e bisedimeve të bazuar në propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania e Franca. Çuditërisht, kjo u refuzua”, ka shkruar Bajrami në Twitter.
At urgent dialogue meeting called by @JosepBorrellF, #Kosovo proposed to suspend further phases of plate conversion, in exchange of Serbia stop issuing illegal plates & EU starting the process of talks based on latest proposal backed by GER & FRA.
Strangely, this was refused!— Agron Bajrami (@AgronBajrami) November 21, 2022
Pas takimeve mbi tetë orë në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ajo se çfarë ka kërkuar BE-ja nga Kosova është pezullimi i masës së gjobës dhe të vazhdohet vetëm me qortimet.
Kreu i qeverisë ka theksuar se me këtë rast përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, praktikisht ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Ta pezullojmë gjobat të vazhdojmë vetëm me ato qortimet, ndërsa në anën tjetër Serbia të pushojë me lëshimin e targave në Serbi që kanë për denominim qytetet e Kosovës, por natyrisht kjo për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë për të cilën jemi ftuar, për dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve, e në propozimin që na kanë sjellë neve, Borrell dhe Lajçak, që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023”.
“Me keqardhje mund të them se në këtë rast Borrell praktikisht hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.
Kjo sepse, sipas Kurtit, i njëjti është propozuar nga BE-ja në marsin e vitit 2023, dhe në anën tjetër po ashtu propozimi është i BE-së.