Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në mbrëmjen e së hënës së 21 nëntorit në një fjalim, situatën midis Kosovës dhe Serbisë e ka cilësuar si të vështirë dhe në prag konflikti.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk ka vend për panik.
“Të dhënat e inteligjencës tregojnë se situata është e vështirë dhe në prag konflikti. Sonte, çdo gjë që ekziston nga të ashtuquajturat e policisë speciale në Prishtinë është dërguar në katër lokacione në veri. Në mesin e popullatës serbe në veri të Kosovës ka një zemërim të madh. Sonte do të kem një takim me serbët e Kosovës. Kërkesa është shumë e qartë – të përpiqemi të ruajmë paqen” ka thënë Vuçiq në një fjalim të jashtëzakonshëm pas bisedimeve të dështuara në Bruksel, shkruan Danas.
Vuçiq, ka thënë të hënën se në orët e mbrëmjes do të takohet në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, dhe se kërkesa e tij do të jetë “ruajtja e paqes”.
Presidenti serb ka potencuar se do të bisedojë me ta “gjithë natën dhe gjithë mëngjesin”.
“Duhet të përpiqemi të tregojmë se nuk donim konflikte as për një sekondë. Nëse protestojnë, duhet të protestojnë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Le të bëjmë çmos për të ruajtur paqen. Ne do të respektojmë kërkesën e (kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep) Borrellit. Nuk do të nxjerrim të reja, dhe as nuk do t’i publikojmë”.
Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel, për të diskutuar çështjen e targave.
Takimi ka përfunduar pa marrëveshje.
Në paraditen e 22 nëntorit, përkatësisht pas orës 08:00, do të fillojë shqiptimin e gjobave për qytetarët që kanë makina me ato që autoritetet në Kosovë i konsiderojnë targa ilegale serbe.
Faza e parë ka paraparë qortimin, e dyta parasheh gjobën dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese.
Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.