Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia, të hënën e 21 nëntorit është takuar me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, pak orë pasi Policia e Kosovës do të fillojë të shqiptojë gjobat ndaj qytetarëve që i mbajnë veturat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme apo retorikat që mund të çojnë në përshkallëzim.
“Komandanti ka apeluar te të gjitha palët të evitojnë çdo veprim që mund të çojë në përkeqësim të situatës. Ai u ka bërë thirrje palëve të sillen me përgjegjësi dhe të marrin një pjesë aktive në ruajtje të sigurisë. Ai ka thënë se është me rëndësi të evitohen tensione të reja, pas atyre në gusht”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas njoftimit, KFOR-i mbetet vigjilent dhe vazhdon ta zbatojë mandatin që i buron nga OKB-ja, me gjitha kapacitetet që ka në dispozicion, për të ruajtur një mjedis të sigurt.
“Qëllimi i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO është paqja dhe siguria në Kosovë. KFOR-i luan një rol jetik në ofrimin e sigurisë që bën të mundur dialogun. Komandanti i KFOR-it u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet apo retorika të njëanshme dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm të tensionit”, thuhet tutje në njoftim.