Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë katër marrëveshje ndërkombëtare, të cilat ishin në rend dite në seancën e sotme.
Këto marrëveshje nuk janë hapur për votim, pasi partitë opozitare kanë lëshuar sallën e Kuvendit si formë proteste që pozita nuk përkrahi një mocion, që do të fuste në rend dite formimin e komisionit hetimor parlamentar për situatën me krizën energjetike.
Një marrëveshje me Shqipërinë, dy me Bankën Evropiane dhe një me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Por seanca vazhdoi me votimet për Projektligjet mbi sigurinë në Kosovë, ku si fillim është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Fatmire Kollqaku, ka konsatuar se Projektligji i ka përmbushur kriteret e harmonizimit me ligjin, duke shtuar se Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në mbledhjen e mbajtur, më 5 prill 2022, e ka aprovuar raportin përfundimtar për projektligjin.
Ky Projektligj i rekomanduar për miratim në seancë plenare, është miratuar me 65 deputetë të cilët kanë votuar pro dhe asnjë kundër.
Gjithashtu, nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është shqyrtuar projektligji për sigurimin shëndetësor, i cili, sipas Komisionit për Buxhet, nuk përmban implikime bxhetore shtesë.
Me po kaq vota, Kuvendi ka miratuar sot në shqyrtim të dytë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi.
Me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua në shqyrtim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
Ndërsa me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për produkte dhe pajisje medicinale.
Nga mbledhja e sotme e Kuvendit është miratuar në shqyrtim të parë Projektligji për Shërbimin Sprovues të Kosovës, për miratimin në parim të këtij Projektligji kanë votuar, gjithsej, 63 deputetë.
Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ky Projektligj parasheh avancimin e shërbimeve profesionale për personat e dënuar.
“Projektligji, në përgjithësi, adreson zhvillimin e Shërbimit Sprovues në pikëpamje të avancimit të shërbimeve profesionale për personat e dënuar, që janë në mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues të Kosovës, dhe ngritjen kapaciteteve profesionale dhe operative për të mbikëqyrur rastet brenda fushëveprimit të tij”, ka thënë ajo gjatë fjalimit në kuvend.
Kuvendi ka vazhduar me miratimin në shqyrtim të parë të Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ministrja Haxhiu shtoi se, edhe ky Projektligj është i një rëndësie mjaft të madhe.
“Edhe Projektligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës është i një rëndësie të veçantë. Projektligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës ka për qellim caktimin e statusit, parimeve, përgjegjësive, menaxhimit dhe organizmin e Shërbimit Korrektues të Kosovës” ka thënë Albulena Haxhiu.
Me këtë projektligj, sipas Haxhiut, parashihen edhe disa benifite përfshirë, pagën jubilare, pagesat për rrezikshmërinë në punë dhe shujtat ditore. Këto dy Projektligje u votuan me 65 vota të deputetëve. Ministrja e Drejtësisë ka shtuar se projektligjet janë trajtuar nga një grup ekspertësh në vend.
“Duke qenë që renditja e projektligjeve nuk është bërë si duhet, po paraqes projektligjin për shërbimin sprovues. Projektligji është trajtuar me një grup ekspertësh në vend, prandaj shërbimi sprovues parashihet me ligj të veçantë. Me këtë ligj do të mundësohet realizimi i gjithëmbarshëm. Duke parë rëndësinë ju ftoj ta miratoni”, ka thënë ajo.
Me 65 vota për u miratua në shqyrtim të parë edhe Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.