Kryeministri i Kosovës e ka kritikuar kryediplomatin evropian, Josep Borell, duke thënë se në takimin e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e ka braktisur idenë e planit franko-gjerman.
Në një prononcim për media, Kurti tha se Borrell ka insistuar të ketë vetëm marrëveshje për targa, derisa shtoi se dakordimi me Serbinë vetëm për targa nuk mjafton.
“Tash ai po i bën përpjekjet maksimale, ShBA, dhe ambasadori Jeff Hovenier, ata janë në kontakt me Brukselin. Që prej se përfundoi takimi i fundit, në dialog, nuk kam komunikuar me zv presidentin Borell i cili me keqardhje e ritheksoi se e braktisi propozimin franko-gjerman, duke thënë, le ta kemi një dakordim për targa. Nuk mjafton dakordimi për targat”, ka deklaruar Kurti.
Takimi trepalësh në Bruksel u mbajt të hënën. Zgjati për më shumë se tetë orë dhe nuk prodhoi asnjë marrëveshje.
Pas takimit, Borrell e ka fajësuar palën kosovare, duke thënë se nuk e ka pranuar propozimin e BE-së për targat për ta mënjanuar dhunën në veri të Kosovës.
Ky reagim i Borrell u kritikuar nga përfaqësuesit e institucioneve të vendit. Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e cilësoi të njëanshëm rolin e përfaqësuesit të BE-së karshi dialogut Kosovë-Serbi.