Burimet diplomatike i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se të mërkurën në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak – për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.
Këto burime kanë thënë se palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent.
Takimi do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.
Të hënën e 21 nëntorit, në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar tri takime trilaterale dhe tri takime bilaterale përgjatë tetë orëve me presidentin e Serbisë në ndërmjetësimin apo lehtësimin e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Nga takimi në Bruksel nuk pati asnjë marrëveshje. Më vonë në po të njëjtën ditë, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.