Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë misionin e shkatërrimit të vendit.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj e ka ftuar kreun e qeverisë që të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë, ndryshe sipas tij mund ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë.
“Albin Kurti ka marrë mision shkatërrimin e shtetit. Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë. Ftoj Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë, sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, nëse kryeministri Kurti nuk ndalon, pasojat do të jenë të pariparueshme.
“Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara.
Prokurorët dhe Gjyqtarët, që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit”, shkroi Haradinaj.
Qeveria të mërkurën vendosi që të kthejë pagat në këtë sistem sikur para rritjes prej gati dyfish që kishte vendosur Haradinaj.
Vendimi i parapriu miratimit të projektligjit për paga, që i është dërguar Kuvendit për miratim.
“Në rast se dikujt i zbriten pagat, ne kemi paraparë atë që është mekanizmi i parashikueshmërisë dhe zbritja e pagave për ata që potencialisht mund t’u zbriten pagat do të bëhet në mënyrë graduale. Në vitin e parë, kur hyn në fuqi ligji për pagat, do ta marrin pagën e njëjtë sikur deri në atë moment, në vitin e dytë do ta marrin 50 për qind të diferencës së zbritjes”, ka thënë zëvendësministri i MPB-së, Bardhyl Dobra në një konferencë për media.
Sipas tij, me projektligjin për paga “dallimi mes koeficientit më të lartë dhe më të ulët nga 20 do të bjerë në më pak se pesë”.