Të enjten e 24 nëntorit, Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare.
E para pritet të nisë nga ora 10:00, ku në rend të ditës do të jetë propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa seanca e dytë pritet të fillojë në orën 14:00, e cila është vazhdimi i seancës së kaluar.
Në rend të ditës së kësaj seancës së papërfunduar, do të jetë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Prokurorinë Speciale, shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.
Po ashtu, pjesë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal i Republikës së Kosovës.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2023, janë po ashtu pika të rendit të ditës së kësaj seance të papërfunduar më 10 nëntor.
Ndërkohë, do të shqyrtohet edhe Raporti vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021 dhe ai i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021.
Pos këtyre pikave, në rend dite janë edhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021, shqyrtimi i Propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.09/99 datë 30 shtator 2022, për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, dhe shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Telekomit të Kosovës për vitin 2021.