Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën e ngritur për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e kuvendit.
Si pasojë e kësaj, ishte pamundësuar qëndrimi i pjesëmarrësve nga tymi që ishte shkaktuar nga gazi lotsjellës dhe të njëjtit ishin detyruar ta lëshojnë sallën.
“Për këtë që më akuzoni ndjehem plotësisht i pafajshëm”, është deklaruar Konjufca të martën e 19 prillit, në seancën fillestare.
Ai ka theksuar se veprimi i tij ishte plotësisht politik dhe ka konsideruar që është ndjerë i obliguar të veprojë në atë mënyrë për shkak të betimit që kishte bërë si deputet.
“Si deputet i Kosovës, jam betuar, kam deklaruar që me çdo kusht dhe me çdo mjet do ta mbroj sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, gjykatësja e rastit, Edita Çanta, e ka njoftuar kryeparlamentarin konjufca se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, aktakuza ndaj Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend ishte konfirmuar më shtatë prill të këtij viti, e cila edhe kishte dështuar për shkak se i akuzuari Konjufca nuk është paraqitur në gjykatë.
Megjithatë, sipas gjykatëses së rastit, Edita Çanta, i pandehuri në këtë rast e kishte njoftuar gjykatën se për shkak të angazhimeve në punën e tij, nuk mund të jetë i pranishëm.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më tre shkurt të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër Konjufcës, të cilin e kishte ngarkuar me dy vepra penale.
Konjufca ngarkohet për “Përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimin e personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri po akuzohet se më 10 gusht të vitit 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e kuvendit të Kosovës, i njëjti në cilësinë e deputetit në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë”.
Si pasojë e kësaj, ishte pamundësuar qëndrimi i pjesëmarrësve nga tymi që ishte shkaktuar nga gazi lotsjellës dhe të njëjtit ishin detyruar ta lëshojnë sallën.
Vepra penale me të cilën ngarkohet Konjufca, bazuar në nenin 375, paragrafi i parë i Kodit Penal, dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërkaq, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si ish-kryetarin e kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare.
Për këtë, Konjufca akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.