Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte arritur marrëveshja e parë me Serbinë.
Gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 në Bruksel, ishin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kompetencat e asociacionit do të ushtroheshin kolektivisht dhe përfshijnë vështrimin e plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë e kujdesit social si dhe planifikimit urban dhe rural.
Asociacioni do të ishte i hapur për komunat që duan t’i bashkohen, ndërkaq shpërbërja do të ndodhte vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse.
Asociacionit do t’i bashkoheshin komunat: Mitrovica e veriut, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillug dhe Partesh.
Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan mbi Parimet e Përgjithshme apo elementet Kryesore të Asociacionit.
Me kërkesë të partive opozitare nga ish-presidentja Atifete Jahjaga marrëveshja ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo Gjykatë konstatoi se disa pjesë të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ndonëse kanë kaluar 9 vjet kjo marrëveshje nuk është zbatuar asnjëherë. Pushteti i udhëhequr nga Albin Kurti, këtë marrëveshje e cilëson të dëmshme, ndërsa thonë se nuk do ta zbatojnë.
Qëndrim të ngjajshëm gjatë ditës kanë bërë publik edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Në llogarinë zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Vetëvendosje ka potencuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila kishte gjetur shkelje në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015.
Nënshkruesi i kësaj marrëveshje në një përgjigje për RTV Dukagjini, ka thënë se institucionet janë mes dy veprimesh.
“Egziston Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së parë të vitit 2013, ku parashihet themelimi i Asociacionit. Ligji ose duhet të zbatohet ose të shfuqizohet, sepse i bie që institucionet po deklarohen që nuk e zbatojnë ligjin”, është deklaruar Mustafa.
Pavarësishtë kundërshtisë pala serbe insiston në themelimin e asociacionit.
Një gjë të tillë e ka theksuar drejtor i së ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.
”Fakti që Kurti thotë hapur çdo ditë se kjo marrëveshje nuk do të zbatohet kurrë, tregon se ne kemi arritur t’i ofrojmë popullit serb një marrëveshje për mbrojtjen e interesave kombëtare serbe”, ka deklaruar Petkoviq.
Ndryshe nga Petkoviq analisti serb, Dushan Janjiq, për RTV Dukagjini ka deklaruar se nuk pajtohet me ndarjen në regjione me baza etnike.
“Prej vitit 2015 egziston dicka që është politike në mes Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë gjenerale për ta implementuar marrëveshjen e Brukselit e posaqërisht Beogradi po e përdor Asoaciocionin dhe po e akuzon Prishtinën që nuk po i zbaton marrëveshjet e mëparshme”.
”Prishtina po mbanë qëndrim se nëse e pranojnë Asociacionin atëherë Serbia duhet patjetër që ta pranojë Kosovën. Unë mendoj që është gabim rregullimi i statusit të bashkësisë së serbëve, kjo mund të realizohet vetëm në përputhje me sovranitetin e Kosovës”, u shpreh Janjiq.
Nga shoqëria civile në Kosovë thonë se asociacioni tashmë nuk mund të trajtohet ndaras nga dialogu Kosovë-Serbi.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) thotë se duke pasur parasysh qëndrimet e palëve është vështirë të gjindet një zgjidhje për asociacionin.
“Marrëveshja e 19 prillit dhe 25 gushtit tregon se Qeveria ka mandat vetëm për të themeluar ekipin menaxhues nga pjesëtarët e komuniteti serb, dhe ata pastaj e shkruajnë statusin dhe e dorëzojnë në Qeveri. Kjo e fundit e dorëzon në Gjykatën Kushtetuese për verifikim”, ka thënë Haxholli.
Ndërkohë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për RTV Dukagjini ka deklaruar se gjithçka që është rënë dakord në Bruksel duhet të zbatohet plotësisht nga të dyja palët.
“Tani është koha për të ecur përpara dhe për ta çuar këtë proces (Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë) në një përfundim të suksesshëm”.
”BE-ja dhe shtetet e saj anëtare presin që të dyja palët e Dialogut të bëjnë përparim të shpejtë dhe të shohin Beogradin dhe Prishtinën të angazhohen seriozisht në të. Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin gjithashtu që palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara”, ka thënë Stano për RTV Dukagjini.