Gjykata e Apelit në Prishtinë të premten e 25 nëntorit ka anuluar tetë seanca.
Një ditë më parë ishin anuluar 14 seanca dhe një e natyrës esenciale ishte mbajtur pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi të punohet vetëm me raste esenciale pas vendimit të Qeverisë për t’iu ulur pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Kjo është konfirmuar për “Betimin për Drejtësi” nga administratori i Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Nysret Arifi.
Të enjten, në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka miratuar lista e shërbimeve esenciale derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Zogaj kishte paralajmëruar se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.
Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.
Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.
Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.
Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.
Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.