Policia pakistaneze thotë se ka arrestuar një burrë i dyshuar për vrasjen e vajzës së tij 18-vjeçare në Itali.
Shabbir Abbas është arrestuar në fshatin e tij në provincën lindore Punjab, ka thënë një zyrtar i lartë i policisë për Associated Press të premten e 25 nëntorit.
Vajza e tij, Saman, është zhdukur vitin e kaluar pasi thuhet se i është bërë presion për një martesë me një kushëri në Pakistan.
Për herë të fundit ajo është parë në prill të vitit 2021 nga fqinjët pranë familjes së saj në Novellara, një qytet i vogël pranë qytetit të Reggio Emilia, në veri të Italisë.
Ndërkaq disa ditë më vonë, përmes disa videove nga aeroporti i Milanos treguan prindërit e saj duke marrë një fluturim për në Pakistan.
Para zhdukjes së saj, Saman Abbas i kishte thënë të dashurit të saj në Itali se prindërit e saj donin ta martonin me një burrë më të madh që nuk e kishte takuar kurrë, por ajo refuzonte, raporton euronews.
Pasi kaloi disa muaj në një strehë, ajo thuhet se u kthye në shtëpi pasi familja i dërgoi mesazhe me tekst. Autoritetet italiane dyshojnë se 18-vjeçarja është vrarë dhe trupi i saj është varrosur.
Policia italiane javën e kaluar ka zbuluar mbetje njerëzore në një varr të cekët në një ndërtesë të braktisur pranë shtëpisë së familjes dhe po punon për identifikimin e viktimës.
Shabbir Abbas thuhet se është arrestuar pas një njoftimi nga autoritetet italiane dhe tani po merret në pyetje nga hetuesit në kryeqytetin, Islamabad.
Një tjetër hetues i lartë i policisë pakistaneze ka thënë se Abbas po kërkohej nga policia italiane me akuzën e vrasjes së vajzës së tij.
Italia ka arrestuar tashmë xhaxhain e Saman Abbas pas ekstradimit të tij nga Franca. Nëna e Samanit është ende në kërkim, ndërsa vëllai i saj i vogël është transferuar në një strehë të mbrojtur në Itali.
Pesë anëtarë të familjes do të dalin në gjyq në shkurt të vitit 2023 për rrëmbim, vrasje dhe fshehje të trupit.