Federata e Futbollit të Kosovës(FFK) mirëpret inicimin e procedurës disiplinore të FIFA-s ndaj FF të Serbisë.
“Jemi të lumtur të shohim reagimin e shpejtë të FIFA-s, me rastin e fillimit të hetimit kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pas shfaqjes së banerit me hartën e Kosovës me flamurin serb brenda saj dhe me mesazhe urrejtje dhe luftnxitëse në zhveshtoren e përfaqësueses serbe dhe në stadium, në ndeshjen ndërmjet Brazilit dhe Serbisë, në kuadër të Kupës së Botës në Katar”, kështu fillon njoftimi i FFK-së.
Tutje thuhet se nga FIFA kanë marrë konfirmimin për pranimin e ankesës së tyre dhe kanë marrë vlerësimin e tyre të lartë për FFK-në.
“Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me organet përkatëse të FIFA-s për çdo informatë ose dokument shtesë nëse kanë nevojë lidhur me hetimin e këtij rasti”, njofton Federata e Futbollit të Kosovës.
Mes tjerash thuhet se si FFK do të jenë “çdoherë të gatshëm të ruajmë dinjtetin e futbollit dhe reputacionin e Kosovës, duke reaguar dhe vepruar konform mekanizmave të FIFA-së dhe UEFA-s, në të cilat bëjmë pjesë”.