Të mërkurën e 20 prillit, ka filluar shqyrtimi fillestar për gjykimin ndaj ish-ministrit të infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltarit të lartë të tij politik, Eset Berisha, ish-sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), Nebih Shatri, dhe drejtorit të Prokurorimit Publik në MI, Besim Tahiri.
Por, kjo seancë ndaj Pal Lekajt me aprovim të Gjyqtares,Violeta Namani është shtyer për të mërkurën e 4 majit, në ora 09:00.
Arsyet e shtyerjes së seancës ishin se, Lekaj ka ndërruar avokatin, dhe se avokati i ri, Musa Damati, nuk e ka pajisur me aktakuzën dhe shkresat e tjera të lëndës.
Ndryshe, më 4 shkurt të këtij viti, për të pandehurit, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ndaj tyre ishte ngritur aktakuzë për ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se, aktakuza kundër personave të lartcekur është ngritur për shkak të dyshimit, se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në qershor të vitit 2018, Qeveria Haradinaj kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për “Bechtel & Enka” për autostradën e Shkupit.
Por, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte deklaruar se “për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që, fillimisht, t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”.
Sipas “Betimit për Drejtësi”, në aktin akuzues nga PRSK, thuhet se, të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë, dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër.
Ky veprim, sipas prokurorisë, i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017, të paraqesë pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Tutje, thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”, me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.
Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në Prishtinë në cilësinë e personave zyrtarë, Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit R6 “, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik, Rregulloren nr.02/2011 të Qeverisë së RKS-së si dhe Statutin dhe Kodin e Sjelljes së Komitetit Drejtues Ndërministror.
Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me OE “Bechtel & Enka” si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017, detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.
Tutje në aktakuzë thuhet se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, MI t’i paguajë operatorit ekonomik kosto financiare shtesë në vlerë prej 45 milionë euro, e cila shumë me shpenzimet e TVSH-së prej 18% arrin shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro.
PSRK pretendon se me qëllim të realizimit të planit të tyre, Lekaj dhe Berisha, në tërësi kanë injoruar anëtarët e KDNM-së dhe Njësinë për Implementimin e Projektit, organe këto të cilat sipas Statutit kanë pasur autorizime të zhvillojnë biseda dhe të marrin vendime për të gjitha çështjet që ndërlidhen me realizimin e këtij projekti, e për më tepër edhe për çështjen e zhvillimit të bisedimeve dhe përcaktimin e kostos për zgjatet e afatit të përfundimit.
Gjithashtu në aktakuzë thuhet se Lekaj me ndihmën e Berishës, në drejtim të realizimit të qëllimit, ka injoruar në tërësi opinionin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit “Hill International”, sipas të cilit opinion shuma reale dhe e lejuar për shtyrje të afatit të përfundimit të punimeve është 14 milionë e 778 mijë e 654 euro e 87 centë, pikërisht siç ishte paraqitur në pikën A të kërkesës së “Bechtel & Enka”, për dallim nga pika B dhe C e kërkesës për kosto financiare shtesë, të cilat janë totalisht të paarsyetuara dhe të papranueshme.
Për më tepër, sipas prokurorisë injorimi i opinioneve të kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” vjen në pah edhe atëherë kur vet i pandehuri Lekaj këtë opinion fare nuk e ka prezantuar në takimet e KDNM-së, të mbajtura për këtë qëllim.
Në fund të aktakuzës thuhet se bazuar në faktin se kompania mbikëqyrëse “Hill International” ka dhënë opinionin se vlera prej 14 milionë e 778 mijë e 654 euro e 87 centë, është vlerë reale dhe e vetmja që duhet t’i paguhet OE “Bechtel-Enka” në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve për projektin në fjalë.
Me këtë vlerësim është pajtuar edhe “Bechtel&Enka”, si dhe duke iu referuar diferencës me shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro të aprovuara për pagesë, rrjedh se si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve, buxhetit të RKS-së i është shkaktuar dëm në shkallë të madhe në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.
Me këto veprime, të përshkruara në pikën një dhe dy të aktakuzës, PSRK të pandehurit i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.