Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Sibel Halimi ka thënë se “historia nuk është përplotësuese e dëshirave momentale të politikanëve të rëndomtë” dhe se “ajo nuk mund të shërbejë si ideologji e interesave ditore”.
“Harrimi i qëllimshëm i saj është përpjekje për ta manipuluar vetëdijen kolektive të një kombi. Diçka që nuk e toleron sidomos studimi i filozofisë. Ajo s’mund të rishkruhet. As të shtrembërohet dhe deformohet. Ajo duhet të njihet siç ka qenë. Të respektohet e promovohet si vlerë”, ka shkruar Halimi.
Halimi ka shtuar se e sheh si “të pavend dhe ofenduese”, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk e ka përmendur “kontributin madhor” të ish-Presidentit Ibrahim Rugova.
“Anashkalimi i Presidentit historik, projektuesit të paqes dhe shtetit të Kosovës nga fjalimet e liderëve nuk tregon asgjë tjetër, pos vogëlsi”, ka shtuar Halimi.
Zëdhënësja e LDK-së ka theksuar se figurat e rëndësishme e kontribuese për lirinë e pavarësinë e vendit, “duhet t’i tejkalojnë inatet apo ideologjitë personale e partiake, duke e pasqyruar saktë të kaluarën tonë të përbashkët”.