Hulumtuesja me nënshtetësi serbe, Natasha Kandiq, në komisionin për të pagjeturit, ka thënë se, shumë shqiptarë pasi janë vrarë nga forcat serbe, mbetjet e tyre mortore në mënyrë sekrete janë bartur për në Serbi.
Në tryezën e organizuar në Kosovë, nga Komisioni për fatin e personave të pagjetur, ajo ka rikujtuar vrasjen e shqiptarëve, vendosjen e tyre në makina-frigoriferë, për t’u gjuajtur në lumë.
“Dua të ia rikujtoj, është shumë e rëndë që të dëgjojmë, për vdekjet më rigoroze. Ju të gjithë e dini, çfarë ka ndodhur në Kralanë, si me datën 1, 2, 3 dhe 4 prill të vitit 1999, si është dukur ai operacion, që disa trupa janë të gjetur në varrezë afër liqenit”, ka deklaruar ajo.
Trupat e gjuajtur në lumë, sipas Kandiq, kanë dalë në sipërfaqe, dhe se një pjesë e tyre janë varrosur afër liqenit, kurse një pjesë tjetër është dërguar në Serbi, për t’u mos u gjetur më.
Ndërkaq, anëtarja e komisionit për të pagjetur, Saranda Bogujevci, ka thënë se institucionet duhet të bëjnë më shumë për ta zbardhur fatin e personave të zhdukur.
“Është njëra ndër temat më të vështira që ende e diskutojmë. Me arsyen që kemi, ende një numër që nuk e dimë fatin e tyre. Duhet të fillojmë të mendojmë bashkërisht si institucione të vendit si qeveri, por edhe si kuvend së bashku me familjarët që të angazhohemi dhe ti dëgjojmë ata më shumë për nevojat e tyre”, ka deklaruar ajo.
Në Kosovë, si pasojë e luftës së fundit, janë rreth 1,630 persona që ende nuk dihet për fatin e tyre.