Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, me rastin e 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ka uruar popullin shqiptar.
Blinken ka theksuar se duke përkrahur Ukrainën dhe duke ndriçuar veprimet keqdashëse në Evropë e botë, Shqipëria ka treguar një lidership dhe guxim.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të nderuara të punojnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa ju vazhdoni të jepni kontribute të fuqishme në skenën globale”, ka thënë Blinken.
Siç ka potencuar Blinken, Shtetet e Bashkuara janë krenare që festojnë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe partneritetin e gjerë e të fortë që kanë ndërtuar së bashku.
Për SHBA-të, kontributet e çmuara të Shqipërisë si një aleate e NATO-s, ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur.
“Shtetet e Bashkuara falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj në zhvendosjen e afganëve”.
Administrata Biden do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj transatlantike, tha Blinken.
“Së bashku, ne po punojmë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të siguruar energji duke avancuar agjendën tonë të përbashkët të klimës për Evropën dhe për të forcuar mbrojtjen kibernetike”, është shprehur sekretari amerikan.
Blinken shtoi se me nisjen e shekullit të ardhshëm të marrëdhënieve mes shteteve, SHBA-të janë krenare që qëndrojnë krah për krah me popullin shqiptar.
“Ndërsa nisim shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve tona, ne jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me popullin shqiptar”, shtoi ai.