Komandanti legjendar, Adem Jashari, po të ishte gjallë, të hënën e 28 Nëntorit, do t’i bënte 67 vjet.
Ai ka lindur po në këtë ditë në vitin 1955, në Prekaz të Skenderajt.
Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.
Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht.
Më 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.
Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij.
Më 30 dhjetor 1991, ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.
Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit më 1997, në 12 stacionet policore.
Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.
Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri njërin prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.
Në këtë betejë, printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj.
Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.
Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve.
Më 5 mars 1998, në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin.
Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.
Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.
Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme.
Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.
Me vendim të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.
Ndërkaq, sot bëhen 25 vjet që nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt, në varrimin e mësuesit Halit Geci, kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.
Kësaj daljeje i paraprijnë luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.
Më 25 nëntor 1997, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt, të cilat u tërhoqën, duke lënë të vrarë dhe të plagosur.
Të nesërmen me 26 nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në këtë fshat, ku UÇK-ja prapë i sulmoi dhe pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën duke lënë prapa të vrarë dhe të vdekur.
Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë UÇK, filluan të qëllojnë pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë. Ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe më 28 nëntor 1997.
Në këtë ceremoni varrimi, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, u bë dalja e parë publike e UÇK-së.